Të premten, 29.01.2021, në takimin e organizuar nga Ministria e Arsimit, në prani të ministres znj. Evis Kushi, përfaqësueses së NSS Albania, znj. Ornela Koleka dhe drejtores së Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar, znj. Nina Guga u zhvillua Ceremonia e kurorëzimit të shkollave fituese të etiketës “eTwinning School Label” nga Komisioni Europian mbi angazhimin e tyre në projekte binjakëzuese në nivel ndërkombëtar.
Institucionit tonë arsimor «Frymë Dashurie» iu dorëzua Trofeja dhe Çmimi prestigjioz Europian me pjesëmarrjen on-line, për shkak të kushteve të pandemisë, të Drejtorit të Gjimnazit tonë z. Thodhori Qesko.
Rreth 1,400 shkolla dhe 5,500 mësues janë të përfshirë në rrjetin “eTwinning”, të cilët janë nxitur të jenë pjesë aktive e binjakëzimeve, ndërsa shkëmbimet e përvojave ndërmjet mësuesve kanë mundësuar edhe integrimin e shumë nxënësve në projekte kurrikulare binjakëzuese.
Ky rrjet, pjesë e “Erasmus +” dhe i financuar nga Komisioni Europian ku janë të përfshirë 42 vende europiane dhe më gjerë, jo vetëm ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin profesional të mësuesve nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në trajnime e webinar-e kombëtare dhe ndërkombëtare, por përfaqëson një angazhim konkret drejt krijimit të politikave të reja në arsim.
Përgëzojmë nxënësit dhe mësuesit tanë për përpjekjet e tyre të pareshtura kreative dhe produktive në Projektet e ndërmarra në Platformën “eTwinning”. Arritjet e tyre reflektojnë në mënyrën më të mirë parametrat cilësore edukative dhe frymën e dijes që karakterizojnë shkollën tonë!

 

Për më shumë foto klikoni këtu!!!